Instituti i Statistikave të Republikës së Shqipërisë publikoi ditën e sotme anketën mbi “Përdorimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në Familje dhe nga Individët.” Kjo anketë është një vrojtim statistikor i cili ka objekt studimi individët e grupmoshës 16-74 vjeç dhe mbledh të dhëna mbi teknologjinë dhe përdorimin e saj nga familje dhe individë.

Anketa zbuloi se 68.6% e popullsisë ka përdorur internetin në tre muajt e fundit prej të cilëve 87.1% mbi baza ditore. Përqindja e atyre që kanë kryer thirrje me zë dhe me video përmes Skype, Viber, WhatsApp është 92.3%.

Sipas INSTAT 82.2% e familjeve shqiptare kanë pasur akses në internet në 2019, një rritje me 1.5% krahasuar me një vit më parë. Mëse gjysma e familjeve kanë akses në internet me brez të gjerë (broadband përmes ADSL, kabllor apo fibër optike). Sakaq përqindja e atyre që hyjnë në internet nga telefoni 3G apo 4G është 88.9%.

Gjithashtu INSTAT tha se 10.1% e popullsisë në 12 muajt e fundit kanë kryer blerje online. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë pajisjet sportive si veshjet me 82.6%. Janë gratë ato që kanë kryer më shumë blerje përmes internetit të cilat blejnë kryesisht veshje ndërsa burrat pajisje kompjuterike, programe, dhe pajisje elektronike.

0 komente:

Post a Comment