Duke filluar nga 1 korriku i këtij viti, tarifa për thirrjet hyrëse në roaming do të ulet me rreth 3.75 lekë për minutë. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare miratoi këtë javë zyrtarisht uljen e tarifave për shërbimin roaming me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ulja e tarifave roaming me vendet e rajonit pason atë të nisur që më 15 qershor me Kosovën. Marrëveshja për uljen e përshkallëzuar, deri në heqjen totale, të tarifave roaming u nënshkrua në fillim të muajit prill në samitin digjital të Beogradit. Palë në marrëveshje janë Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ranë dakord më 4 Prill të ulin tarifat roaming deri në heqjen e tyre deri më 2021. Marrëveshja parashikon një reduktim të tarifave me 27% duke filluar nga 1 Korriku i këtij viti deri në heqjen e plotë të tyre në Korrik të 2021. Gjashtë vendet së bashku kanë 20 milionë përdorues celularë.

Nën marrëveshjen e re kostoja për një minutë telefonatë nuk do të jetë më e lartë se 0.2 dollarë fillimisht përpara se të hiqet plotësisht. Heqjen e tarifave të telekomunikimit për vendet e Ballkanit Perëndimor e ka kërkuar Bashkimi Evropian, si formë lehtësimi për komunikimet ndërmjet qytetarëve.

0 komente:

Post a Comment