Gjatë Konferencës Mbarëbotërore të Zhvilluesve (WWDC 2015), shefi ekzekutiv i Apple, Tim Cook, prezantoi shërbimin e ri muzikor Apple Music. Ky shërbim muzikor mund të konsiderohet si një kapitull i ri në muzikë, duke lënë pas CD, bokset, altoparlantët në pjesën e pasme të makinës dhe iPod-in.


Përdoruesit e shërbimit muzikor Beats do të transferohen tek shërbimi Apple Music, ndërsa kur të blini këngë ose albume në iTunes, ju do të keni edhe opsionin për t’u abonuar tek shërbimi i ri muzikor i Apple-it. Shërbimi iTunes Radio, nga ana tjetër, do të zgjerohet si një stacion i drejtpërdrejtë me DJ të ndryshëm, si David Guetta, Zane Lowe, Pharrell, Drake, Muse etj.


Beats 1 do të jetë stacioni i parë në radio i Apple-it, i cili do të jetë në dispozicion në 100 shtete në të gjithë botën. Ky stacion do të jetë i disponueshëm në 24 orë në 24. Në aplikacionin e ri do të jetë edhe një seksion i quajtur Connect, i cili lejon këngëtarët e juaj të preferuar të kontrollojnë faqen e tyre të rrjetit social, ku mund të ngarkojnë këngë, video, foto, statuse të ndryshme etj.


Ky shërbim do të kushtojë 9.99 dollarë në muaj, ose 14.99 dollarë nëse doni të përfshini mbi 6 pjesëtarë të familjes në një llogari. Ai do të vijë së bashku me sistemin iOS 8.4 tek iDevice më 30 qershor. Edhe pajisjet Android do të mund ta marrin këtë shërbim muzikor në vjeshtë. /iPhoneAlbania

0 komente:

Post a Comment