E dimë, titulli është pak provokues, por duhet të shkruanim diçka për të tërhequr vëmendjen tuaj për të arsyetuar sëbashku për vlerën e një telefoni të mençur të nivelit të lartë, qoftë ai një iPhone X apo një Galaxy S8. iPhone X është modeli Apple më i kushtueshëm i të gjitha kohërave: në SHBA kushton rreth 999$ ndërsa në Evropë arrin edhe në 1.189€. Shumë shtrenjtë për xhepat e shqiptarëve, por le të arsyetojmë rreth vlerës së këtij produkti. Nëse nuk jeni aq të fiksuar pas teknlogjisë sa të ndërroni model çdo vit, mesatarisht, një herë që e keni blerë iPhone X, do ta mbani atë përafërsisht 2-3 vjet.

Në Shqipëri, një sufllaqe kushton mesatarisht 100-180 Lek, në bazë të qytetit ku ndodhemi, duke përjashtuar vendet turistike dhe periudha të caktuara të vitit ku çmimet mund të ndryshojë. Pra le të themi që mesatarisht, një sufllaqe na kushton 150 Lek në ditë. Në dy vjet janë 109.500 Lek, pak a shumë çmimi i një iPhone X që ne do të përdorim në të njëjtin hark kohor.

Duke arsyetuar gjithmonë me terma provokues, një sufllaqe në ditë, ose ndonjë byrek me kos nëse preferoni, na zë 10-15 minuta të ditës tonë. Po një iPhone? Sa minuta, ose më mirë sa orë në ditë e përdorim? E përdorim vetëm për të luajtur lojëra dhe për të biseduar me miqtë, apo edhe për punë?

Përgjigjen e njihni. iPhone, ose çdo smartphone në përgjithësi, është mjeti kryesor që përdorim për çdo gjë: email, takime, faqe web, mesazhe, foto, video... Tashmë menaxhojmë gjithçka nga pajisja jonë dhe nuk mund të bëjmë pa të.

Por le ta lëmë menjanë shembullin e sufllaqes... dhe të flasim për veshjet. Sa nga ju keni miq që ju bëjnë moral pse harxhoni aq shumë para për një telefon, kur nga ana tjetër ato mund të shpenzojnë 10-20 mijë Lek të reja për një palë këpucë apo një fustan që mund të veshin vetëm njëherë? Kuptohet, çdokush mund t'i shpenzojë paratë sipas dëshirës, por të kritikosh më pas të tjerët nuk është aspak koherente.

Por le të rikthehemi tek arsyetimi jonë. Business Insider ka krijuar një infografik mjaft simpatik që krahason çmimin që do të kushtonte iPhone në ditë në SHBA, me çmimet e disa shërbimeve apo objekteve:


Natyrisht, i njëjti arsyetim vlen edhe për një Note 8 apo çdo smartphone tjetër i nivelit të lartë. Ndokush mund të thotë se ka alternativa të tjera më ekonomike, por këtu po flasim për teknologji, performancë dhe cilësi shumë të lartë. Pastaj, me paratë e tij çdo kush mund të bëjë atë që do dhe askush nuk e detyron të blejë një iPhone të ri ditën e parë që del në treg. Përtej gjithë këtyre provokimeve, jam kurioz të di mendimin tuaj :) Ju ftoj të komentoni më poshtë. /iPhoneAlbania

0 komente:

Post a Comment