Dy kompanitë më të mëdha në sektorin e prodhimit të proçesorëve grafikë, AMD dhe Nvidia, kanë vendosur të hedhin në treg versionet e reja të chip-eve brënda këtij viti. Teknologjia aktuale që këto kompani po përdorin, është ajo me 28 nm (nano metër), e cila është përdorur për herë të parë në vitin 2011. Që nga ai vit kompanitë nuk kanë përditësuar tek teknologjia me 20 nm por kanë vendosur të përdorin teknologjinë më të fundit e cila është ajo me 14 dhe 16 nm.

NVidia Pascal dhe AMD Polaris do të jenë dy chip-e që do të integrojnë teknologjinë 16 nm FinFET dhe 14 nm FinFet. FinFET është teknologjia më e fundit e prodhimit të chip-eve me silikon ku një tranzistor ka madhësinë 14 ose 16 nm. Kjo do të thotë ulje të nxehtësisë së prodhuar gjatë punës, ulje të dimensioneve të chip-it dhe rritje të frekuencës së funksionimit, pra shpejtësi më të lartë.


Drejtuesit e AMD premtojnë se teknologjia e TMSC me 14 nm do të sigurojë të paktën shpejtësi të dyfishtë në chip-et e ardhshme, nëse e krahasojmë atë me chip-in më të shpejtë që aktualisht kjo kompani ka në treg. Të njëjtin lajm konfirmon edhe NVidia e cila ka zgjedhur teknologjinë me 16 nm.

Këto dy teknologji pritet të vijnë edhe te produktet Apple dhe ekspertët mendojnë se në Macbook Pro do të integrohen duke filluar nga Qershori i këtij viti, në të cilin Apple do të prezantojë versionet e reja të kësaj linje. Gjithashtu pritet që tek iMac të kemi versionet më të fuqishme të teknologjisë grafike në fjalë. /iPhoneAlbania

0 komente:

Post a Comment