iPhone i ardhshëm nuk do të jetë i disponueshëm në dyqanet e Apple përpara shtatorit, por deri tani, për shkak të informacioneve që janë shpërndarë nëpër kanale jozyrtare, mund ta kemi një ide se si mund të jetë ai. Prandaj, më poshtë do të lexoni gjithçka dimë për telefonin iPhone të ardhshëm.

Do të quhet iPhone 7 ose iPhone 6s
iPhone i ardhshëm do të jetë shumë i ndryshëm nga iPhone 6 dhe 6 Plus, saqë mund të detyrojë kompaninë Apple ta quajë iPhone 7 dhe jo iPhone 6S, që mund të kuptohet si një produkt me të njëjtën linjë me iPhone 6 dhe 6 Plus. Megjithatë, ka raporte ku thuhet se iPhone i ri mund të quhet iPhone 6S. E vetmja gjë që dimë me siguri është se iPhone i ri do ta ketë njërin prej këtyre dy emrave.

Më 25 shtator mund të jetë në treg
Fakti që iPhone i ri do të jetë në treg në shtator, dihet prej kohësh, por asnjëherë Apple nuk ka treguar për datën e saktë. Sipas blogut “Mobile News”, që pretendon se ka siguruar një e-mail të stafit të brendshëm të kompanisë, thuhet se iPhone i ri do të jetë në treg më 25 shtator, ndërsa porositë për celularin mund të fillojnë që më 18 shtator.

Mund të vijë me dy madhësi, ashtu si iPhone 6 dhe 6 Plus
Besohet se Apple do të ofrojë në shtator dy modele iPhone, me madhësi të ndryshme, njëjtë sikurse 6 dhe 6 Plus. iPhone do të vijë me ekranë 4.7 dhe 5.5 inç.

Do të jetë më i qëndrueshëm
Apple do të përdorë të njëjtën seri të aluminit të Serisë 7000, si edhe në rastin e Apple Watch, për prodhimin e telefonit iPhone të ardhshëm. Dhe kjo pritet ta bëjë 60% më të qëndrueshëm se celularët iPhone 6 dhe 6 Plus.

Mund të jetë pak më i madh se iPhone 6
iPhone i ri pritet të jetë 0.15 milimetra më i gjatë dhe 0.2 milimetra më i trashë, por nuk dihet saktësisht pse. Trashësia mund të jetë për shkak të përdorimit të aluminit të ri, që Apple pritet ta përdorë.

Ka mundësi që ta shohim edhe një iPhone 4 inç
Një revistë tajvaneze “Digitimes” ka raportuar se Apple është duke menduar të nxjerrë në treg tre modele: iPhone 4.7 inç, një tjetër me 5.5 inç dhe një i tretë me 4 inç. Po ashtu, “The Economic Daily” nga Kina, ka raportuar se Apple do të hedhë në treg një version me ekranin 4 inç, që do ta quajë iPhone 7c. Sidoqoftë, ka dyshime për vërtetësinë e këtyre lajmeve.

Nuk do të ketë buton “home”
Është raportuar se Apple po punon për një dizajn të ri të telefonit të ardhshëm, që mund të eliminojë butonin “home”, buton që gjendet në fund të çdo celulari iPhone, në formë të rrumbullakët. Në vend të tij mund të ketë një “Touch ID” që mund t’u lejojë përdoruesve të hyjnë në celularine tyre përmes shenjave të gishtave. Edhe për këtë lajm ka disa dyshime, nëse është i vërtetë apo jo.

Mund të kemi një iPhone rozë...
“The Wall Street Journal” ka shkruar se Apple është duke menduar të nxjerrë në treg një iPhone, por...rozë. Kompania amerikane ende nuk ka dhënë shenja, nëse kjo është e vërtetë apo jo, por do të duhet të presim shtatorin për të parë edhe ngjyrat e modelit të ri.

Cilësia e kamerës do të jetë më e mirë
Kamera pritet të përmirësohet ndjeshëm. Apple ka blerë për 20 milionë dollarë kompaninë “LinX”, teknologjia e të cilës mund të përdoret për të rritur cilësinë e fotove kur ato bëhen në kushte me pak ose aspak dritë.

Specifikisht, Apple do rrisë sensorët për të dy kamerat
iPhone i ardhshëm besohet se do të vijë me një kamerë prej 12 megapiksel, që do të ishte një hap madhor, pas telefoni iPhone i fundit e ka kamerën 8 megapiksel. Gjithashtu, mendohet se cilësia e fotove do të rritet falë kodeve të fshehta të sistemit iOS 9. Mësohet se kamera e përparme do të jetë e aftë të bëjë video 1080p me 24 frame për sekondë.

Do të jeni në gjendje të shtoni efekte 3D
Në të vërtetë, teknologjia e “Linx” mund t’u lejojë të shtoni efekte 3D në fotot që i keni bërë me iPhone. Kjo mund të lejojë të ngrihen supozime se iPhone i ardhshëm mund të vijë me “kamerë të dyfishtë”, ose më saktë me dy kamera nga mbrapa, njëjtë sikurse HTC One M8.

Do të ketë një procesor më të mirë
Zakonisht, Apple ka përmirësuar procesorët në çdo seri të telefonëve. Prandaj me shumë mundësi do të ketë një procesor më të mirë në telefonin e ardhshëm. Nuk është raportuar asgjë se çfarë përmirësimesh do të ketë, por “Bloomberg” ka njoftuar më parë se Apple zgjodhi kompaninë Samsung për të prodhuar çipin për telefonin e ri iPhone.

Do të vijë me versionin e fundit të sistemit iOS 9
iPhone 7 ose 6S do të funksionojë me sistemin e fundit të Apple, që është iOS 9. Nëse ju keni një iPhone të vjetër, gjithashtu do të keni mundësi të instaloni iOS 9, kur ky sistem do të jetë i gatshëm në vjeshtë.

0 komente:

Post a Comment