Është pak herët për të folur për iPhone-in e ardhshëm, duke qenë se nuk kanë kaluar shumë muaj nga prezantimi i iPhone 6 dhe iPhone 6 Plus. Megjithatë kjo nuk i ka penguar fansat e Apple-it që të fillojnë që tani me spekulimet mbi karakteristikat që do të ketë iPhone i ardhshëm.

Kështu, flitet se iPhone i ardhshëm do të ketë “kamerën më të madhe të krijuar ndonjëherë”. Ka shumë mundësi që Apple të përmirësojë teknologjinë e kamerës në telefonat e saj inteligjentë të ardhshëm, meqë ka vepruar kështu gjithmonë edhe me gjeneratat e mëparshme të iPhone-it. Këtë lajm e ka bërë të ditur faqja ueb “Daring Fireball”, e cila shpjegon se gjenerata e ardhshme e iPhone-it do të ketë një sistem të çuditshëm të lentave të dyfishta tek kamera e pasme, ku thuhet se do të jetë shumë më e mirë se kamera DSLR.

Është pak e vështirë të ketë kamera më të përmirësuar se ajo DSLR që njihet për shkrepjen e fotove me cilësi të lartë, megjithatë mbetet të shohim se si do funksionojë sistemi i lentave të dyfishta tek iPhone i ardhshëm. Kemi parë një sistem të ngjashëm tek telefoni inteligjent HTC One (M8), i cili ka një lente ekstra në pjesën e pasme që ndihmon kamerën të fokusohet më mirë dhe pamjet të jenë më të qarta.

Këto spekulime vijnë vetëm pak ditë pasi Sony konfirmoi se telefoni i ardhshëm i saj do të ketë kamera 21 megapikselë të pajisur me sensorin CMOS. Sensori i ri nga Sony mund të përdoret edhe tek kamera e iPhone-it të ardhshëm të Apple-it. /iPhoneAlbania

0 komente:

Post a Comment